Pardje u mbajt kuvendi zgjedhor i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ku, sipas informatave publike, kryetar u zgjodh Qemajl Krasniqi.
Megjithatë, Rahoveci n’Fokus ka mësuar se dy komandantët e batalioneve (nga katër sa janë gjithsej) Xhafer Kadiri dhe Lulzim Krasniqi, bashkë me delegatët e tyre munguan në këtë përzgjedhje.
Çka do të thotë kjo se, nga 101 delegatë sa i ka dega e Rahovecit, për zhvillimin e punimeve të pranishëm duhej të ishin 51.
Por, mungesa e publikimit të rezultatit ngjall dyshime. Përderisa degët tjera në Kosovë kanë publikuar të dhëna të detajuara, kështu nuk ka ndodhur me Rahovecin.
Si nga dega, ashtu edhe nga qendra, nuk është publikuar asnjë detaj, çka mund të çojë në hipotezën se mund të ketë pasur numra më pak sesa që është e nevojshme.
Gjithsesi, ne konform etikës gazetareske kemi çuar pyetje në drejtim të kreut të ri tashmë, z.Krasniqi dhe me marrjen e përgjigjes do të dalim me tjetër lajm.