
Vijon të jetë kryetemë mospërmbushja e vendimit të ministrisë lidhur me ndërtimin e lagjes që pritet t’i sjellë Rahovecit miliona euro qarkullim.
Drejtori i Urbanizmit, Albnor Mullabazi përmes një shkrimi në “Facebook” ka tentuar ta arsyetojë burokracinë, por Jeton Haxhimustafa, arkitekti i lagjes dhe njëherit njeriu që fitoi rastin në ministri, kërkoi vetëm zbatimin e vendimit të kësaj të fundit.
Haxhimustafa, poashtu përmes të njëjtit rrjet social ishte shumë konkret në kërkesën e tij: veç respektojeni vendimin e ministrisë, kurrgjë tjetër.
Më poshtë reagimi i Mullabazit, teksa nën të edhe replikën profesionale të Haxhimustafës.
Postimi i Mullabazit:
Njoftim nga Drejtoria e Urbanizmit
Pala mund të aplikojë për leje ndërtimi vetëm për pjesën e parcelës brenda kufirit ndërtimor, duke respektuar dokumentet urbanistike dhe ligjet në fuqi. Në kuadër të përgjegjësive tona, Drejtoria për Urbanizëm ka për detyrë të trajtojë të gjitha lëndët në përputhje me planet dhe ligjet në fuqi.
Lëndë e z. Hamdi Cena nga Rahoveci per ndertimin e lagjes, nëdalje të qytetit te trafo e KEDS-it. Kërkesa e pales me Nr. Protokoli 200 e datës 05.07.2024, per Kushte Nderimore.
Replika e Haxhimustafës:
Projekti konceptual për investitorin Nexus Dardania i hartuar nga zyra jonë projektuese është në përputhshmëri të plotë me të gjitha rregullat e ndërtimit. Këtë e dëshmon më së miri fakti që ankesat, me dhjetëra arsyetime ligjore, janë aprovuar në ministri. Fatkeqësisht, është iniciuar një konflikt administrativ nga drejtoria aktuale e urbanizmit, e cila, me keqardhje, nuk dëshiron apo nuk mund ta kuptojë saktë rolin e hartës zhvillimore komunale. Për këtë arsye, po i ndaj dy ligje kryesore të theksuara në ankesën tonë, me qëllim që të kuptohet thelbi i çështjes:
Sipas Udhëzimit Administrativ të MMPH nr. 11/2015, neni 5, paragrafi 3, thuhet:
“Pjesa hartografike e PZHK-së përmban harta hapësinore konceptuale dhe harta të planeve zhvillimore sektoriale, siç detajohet në nenin 11.”
Ndërsa, në paragrafin 7 të të njëjtit nen thuhet:
“Të gjitha hartat hapësinore konceptuale, hartat ilustrative dhe hartat e planeve zhvillimore sektoriale prezantohen mbi harta të gjeo-referencuara ortofotografike dhe topografike.”
Nga kjo theksohet qartë se plani zhvillimor nuk përmban ndarje precize të parcelave kadastrale qysh pretendon drejtoria. Për komunat që nuk kanë plan rregullues që përcakton destinimin dhe kriteret e ndërtimit, siç është komuna jonë, duhet të zbatohet neni 18, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim, ku thuhet qartë:
“Nëse nuk ekziston plani rregullativ urban, aplikuesi i propozon organit kompetent kushtet ndërtimore që dalin mbi bazën e diametrit prej pesëdhjetë (50) metrave nga vijat kufizuese të parcelës tokësore për të cilën aplikuesi ka kërkuar të ndërtojë objektin e tij ndërtimor.”
Siç shihet në pamjen e ortofotos, në kufi të parcelës ndodhet objekti fqinj. Prandaj, ankesa jonë është miratuar nga ministria. Megjithatë, mbetet e paqartë pse kjo çështje vazhdon të kundërshtohet nga komuna jonë. Do ta kuptoja nëse do të ndodhte e kundërta, pra të kundërshtohej nga ministria, por nuk mund t’i arsyetoj veprimet e komunës, e cila, me shumë krenari, dëshmon kundërshtimin e këtij projekti. Nëse ky kundërshtim vjen nga padituria, jam i gatshëm të diskutoj dhe të sqaroj të gjitha ligjet dhe ankesat e drejtuara në ministri. Kjo do të ishte një zgjidhje primare në një vend normal, që dëshiron të thithë investime kapitale…