Zgjedhjet kombëtare po afrohen. Padyshim se vëmendja e qytetarëve/votuesve do të jetë kah 9 shkurti dhe mbase qysh tani kanë gati listën apo partinë që do ta votojnë.

Por, kush nga kandidatët prej Rahovecit ka gjasa të sigurojë ulëse në parlament?

*Të jemi të qartë, ka edhe kandidatë të tjerë, por sipas redaksisë sonë, Idriz Vehapi, Visar Korenica e Smajl Latifi do ta thonë fjalën kryesore, duke mos hequr nga ekuacioni as ish-kryeministrin Avdullah Hoti.

Fillojmë nga i pari…

𝐈𝐃𝐑𝐈𝐙 𝐕𝐄𝐇𝐀𝐏𝐈, ish-kryetar e ish-ministër i Bujqësisë, përkatësisht njeriu që dha “dritën e gjlebër” për subvencionet e rrushit. Ani se në zgjedhjet e fundit lokale, PDK nuk qëndroi mirë sa i përket rezultatit, tash është një tjetër lojë, lojë këtë që Partia Demokratike, e posaçërisht Vehapi e njeh mjaft mirë. Kuptohet, do të varet edhe nga rezultati i përgjithshëm, por nëse marrim për bazë se PDK synon t’i kalojë 20 deputetë, atëherë Vehapi pritet të jetë ligjvënës mandatin e ardhshëm. Duhet përmendur faktin, ai ka vota edhe në qytete tjera ku votohet PDK-ja, në veçanti Suharekë e Prizren, aty ku ka edhe mbështetje nga njerëz të fuqishëm të partisë. Nëse shohim gjasat nga 1 deri në 10 për t’u bërë deputet, me 10-shin si ngjarje të sigurtë, atëherë Rahoveci n’Fokus voton me 8.5.

𝐕𝐈𝐒𝐀𝐑 𝐊𝐎𝐑𝐄𝐍𝐈𝐂𝐀, nga hera e kaluar mbështetja për të është rritur, për faktin se hoqi dorë nga VV-ja për ta mbrojtur familjen tradicionale. Në opinion është parë një përkrahje për këtë lëvizje. Është e qartë, Listës për Familjen i duhen diku 35 mijë vota për ta kaluar pragun, që nëse e kthejmë në nivel komunash, atëherë i bie që në 20 komuna t’i marrin nga 1750 vota. E atëherë kur kësaj ia shtojmë faktin se Visari në zgjedhjet e fundit vetëm në qytet kishte më shumë se 5500 vota, nuk është larg mendjes një rezultat ëndrrash që mund ta ndihmonte edhe krejt koalicionin. Pra, për ta thjeshtëzuar, me Pacollin si mbështetës të madh, dhe nëse koalicioni kalon pragun, atëherë Visar Korenica do të jetë deputet me patjetër. Sa i përket gjasave, kësaj ngjarjeje Rahoveci n’Fokus i jep notën 8 nga 10.

𝐒𝐌𝐀𝐉𝐋 𝐋𝐀𝐓𝐈𝐅𝐈 – Vetë AAK-ja në Rahovec. Ai shpeshherë ka treguar se është i interesuar të jetë pjesë e parlamentit, pasi edhe veç është nënkryetar i partisë. Nga krerët e Aleancës ai shihet si mundësi e mirë për të arkëtuar vota, por këtu problematike është përqindja e AAK-së në terren. Sipas sondazheve të fundit dhe asaj që thonë analistët në studio, AAK nuk pritet t’i ketë më shumë sesa 8 deputetë, e ku nga këta 8, me shumë gjasa 2 mund të jenë nga Nisma Socialdemokrate, atëherë situata për Smajl Latifin vështirësohet. Gjithsesi, nëse kthehemi në të kaluarën, Latifi është lojtar i rryer në politikat lokale dhe s’e ka shumë problem arkëtimin e votave, por sesa mund t’i kalojë kolegët e tij, posaçërisht ata të Rrafshit të Dukagjinit, mbetet të shihet. Këtu duhet thënë, fushata mund ta luajë rolin e saj. Kur jemi te gjasat, redaksia jonë e rendit Latifin me 7.5.

𝐀𝐕𝐃𝐔𝐋𝐋𝐀𝐇 𝐇𝐎𝐓𝐈, nuk shihet shpeshherë në Rahovec. Por, ai e di mirë: Nuk është se ka edhe shumë vota. Ama, Hoti është dora e djathtë e Isa Mustafës dhe për shkak të bagazhit politik si ish-kryeministër, pritet të sigurojë ulëse, jo duke iu falënderuar vendlindjes, apo komunës në tërësi. Hoti do të marrë vota në komunat tjera, pasi vlerësohet shumë si karakter për kah integriteti personal. Hiq llogaritjet se sa deputetë do t’i ketë Lidhja Demokratike në zgjedhjet e ardhshme, gjasat që Hoti të bëhet deputet, nga 1 deri në 10, janë 9.

*Kujtojmë, ky është vetëm editoriali i parë nga disa të tillë që do t’i publikojmë javëve në vijim, e që padyshim se do të ndikojë edhe rrugëtimi i kandidatëve të përzgjedhur, që për ne janë nga ata që kanë më tepër gjasa, pasi siç e thamë, lista e kandidatëve është pak më e zgjeruar.